Projekte dhe aktivitete

Promovimi i Produkteve Bujqësore dhe Potenciali i Agro-turizimit në Zonat Rurale

Promovimi i Produkteve Bujqësore dhe Potenciali i Agro-turizimit në Zonat Rurale

Ditën e enjte u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural takimi i punës mes ministrit të Bujqësisë, z. Niko Peleshi, drejtuesve të Shoqatës për Autonomi Vendore dhe kryetarëve të Bashkive të vendit. Qëllimi i këtij takimi ishte fokusi i bashkëpunimit dhe koordinimit mes Qeverisjes Qëndrore dhe asaj lokale për promovimin e produkteve bujqësore vendore dhe mbështetjen e fshatrave me potenciale turistike dhe agrobujqësore.

Një aspekt tjetër me rëndësi gjatë këtij takimi, ishte bashkërendimi dhe koordinimi i punës për zhvillimin e Panairit Kombëtar të Bujqësisë me pjesëmarrje të kompanive të agro-turizmit, artizanale e përfaqësues të kulinarisë nga i gjithë vendi. Ky Panair do të zhvillohet në datat 29-30 Nëntor, në Tiranë në hapësirën mes ish Hotel Dajtit dhe Taivanit. 

Mes kompanive të produkteve ushqimore pritet të zhvillohet një prezantim kulinarie, ku në qendër do të prezantohen prodhimet shqiptare dhe ato rajonale. Mjeshtrat e kuzhinës dhe restorantet, do të ofrojnë mundësinë e degustimit të recetave më të spikatura. Ndërkohë që Panairi do të shërbej jo vetëm si rigjallërim i jetës kulturore dhe sociale në të gjithë vendin, por edhe si një bazë e bashkëpunimit kulturor ndërkufitar dhe ndërajonal.