Aktivitete

Kryebashkiakët shqiptar priten nga autoritet homologe britanike

Një delegacion i përbërë nga një grup kryetarësh të disa prej bashkive kryesore të vendit, të kryesuar nga Shoqata për Autonomi Vendore, ka zhvilluar gjatë muajit qershor një vizitë studimore disa ditore në Britaninë e Madhe.

Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja me modelet më të mira të politikbërjes dhe administrimit në nivel lokal nga autoritet e qeverisjes vendore britanike, nxitja e bashkëpunimeve ekonomike përmes projekteve të përbashkëta dhe tërheqjes së investimeve angleze ne vend.

Gjatë qëndrimit të tyre në kryeqytetin britanik, delegacioni i SHAV u prit në ambientet e ambasadës shqiptare në Londër nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Sh.T.Z. Qirjako Qirko.

Ambasadori Qirko duke falënderuar grupin e kryebashkiakëve për vizitën e tyre të veçantë në ambasadën shqiptare atje, i informojë kryetarët rreth modelit britanik të administrimit të qeverisjes lokale dhe mbi potencialet e bashkëpunimit në këtë nivel. “Ju do të zhvilloni takime me autoritetet këtu dhe do të keni mundësi të informoheni prej tyre pasi Anglia është një vend model për tu marrë si model në drejtim të mirëmenaxhimit të pushtetit vendor dhe sesi ata trajtojnë askpektin social. Sikurse, dhe ne, kemi çtë tregojmë nga përvojat tona pozitive në nivel shkëmbimesh eksperiencash. Madje dhe lideri laburist i Britanisë ka marrë si pikë reference përvojën e Evropës Lindore të trajtimit të çështjes së strehimit social.” – u shpreh ambasadori.

Në një prononcim për mediat lokale, Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës për Autonomi Vendore, Zj. Adelina Farrici, u shpreh mbi rolin e kësaj shoqate dhe qëllimin e vizitës së saj në Britaninë e Madhe: “Një prej funksioneve të Shoqatës për Autonomi Vendore është koordinimi i punës mes pushtetit lokal, atij qëndror dhe homologëve tanë ndërkombëtar. Pikërisht ndaj dhe jemi sot këtu, në Londër, për të mundësuar shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira mes pushteteve tona lokale, me qëllim që nesër të tërheqim projekte dhe të mundësojmë bashkëpunime ekonomike” - u shpreh Zj. Farrici.

Delegacioni i përbërë nga kryetari i bashkisë së Vlorës, z. Dritan Leli, bashkisë së Korçës, Z.Sotiraq Filo, bashkisë së Bulqizës, Z. Melaim Damzi, bashkisë së Shijakut, Z. Ardian Kokomani, bashkisë së Roskovecit, Zj. Majlinda Bufi, bashkisë së Mirëditës, Z. Ndrec Dedaj dhe i bashkisë së Himarës, Z. Jorgo Goro, zhvilluan takime në bashkinë e Brentit ku u pritën nga kryebashkiaku i këtij lokaliteti Cllr Arshad Mahmood. Ky takim shërbeu për njohjen dhe shkëmbimin e informacioneve mbi çështje të rëndësishme për komunitetin siç janë strehimi dhe banesat sociale, mjedisi, transporti publik dhe rekreacioni. Një vëmendje e veçantë gjatë këtij takimi iu kushtua komunitetit shqiptar në këtë lokalitet e veçanërisht integrimi i tij në komunitetin e Brentit. Në vijim kryetarët e bashkive diskutuan mbi mundësinë e bashkëpunimit mes bashkive të tyre dhe bashkisë së Brentit në nivel projektesh dhe asistence teknike.

Vizita kulmoj me vizitën e kryebashkiakëve në Parlamentin Britanik, ku delegacioni u prit në Westminister nga anëtari i Parlamentit, z. John Grogan, i cili është njëkohësisht dhe kryetari i grupit të miqësisë Shqipëri-Angli. Fokusi i këtij takimi u përqëndrua mbi potencialet e bashkëpunimit midis dy vendeve. Deputeti Grogan e ka vizituar shpesh herë Shqipërinë dhe vlerëson progresin e vendit dhe mundësitë e reja që ai ka për tërheqjen e investitorëve britanik. Kryetarët biseduan gjithashtu për zhvillimin dhe shtrirjen e këtyre marrëdhënive edhe në sferën e komuniteteve të tyre lokale.