Aktivitete

Dita e Tokës bën bashkë komunitetin

Dita e Tokës, në shumë këndvështrime ishte një promovim i vlerave morale që qytetarët kanë kundrejtë mjedisit dhe komunitetit që ata jetojnë.

Në të gjitha bashkitë e vendit bëri përshtypje mobilizimi në harmoni të plotë mes vullnetarëve dhe qytetarëve që morën një qese në duart e tyre dhe filluan të sensibilizohen në procesin e pastrimit.

Në kuadër të një lobimi të vazhdueshëm mbi autonominë vendore dhe nxitjen e demokracisë sociale nëpërmjet nismave të ndryshme vullnetare, edhe ‘Ditën e Tokës’ u pa qartë një ndërgjegjësim qytetarë që veçoi nga promovimi kronik i ekraneve.

Më shumë dalloi përfshirja e komunitetit tek shihnin që motra me vëllain kishin lënë axhendën e ditës së pushimit dhe i ishin bashkuar kësaj dite.  

Pranë tyre dalloi një çift mësuesish të cilët nuk do ta kalonin si përherë drekën e së dielës në shtëpi duke parë emisionet argëtuese, por pranë një kontributi qytetarë që më shumë se një angazhim mekanik i kishte dhënë një kënaqësi me energji pozitive.

Më pas kaluam tek disa vajza që kishin ardhur nga Tirana ngaqë kishin parë lajmërimin në rrjete dhe ishin bashkuar me vullnetarët në Kepin e Rodonit për të kaluar një ditë ndryshe.

“Dita e Tokës” kishte bashkuar komunitetin.

Qasja e komunitetit kohët e fundit ka dalluar për ndjeshmërinë e saj ndaj mjedisit. Organizata të ndryshme dhe partnerë apolitikë kanë ndërrmarë disa fushata sensibilizimi online ku kanë bashkuar individ apo grupe të interesuar për të ushtruar këto aktivitete në komunitet.

Rekomandimet e BE-së në kuadër të prioritetve globale në mbrojtjen e mjedisit kanë filluar të përcillen me zë të qartë në institucione dhe rrjete sensibiluese për të nxitur përfshirjen e komunitetit në nismat mjedisorë.

Përfshirja e vullnetarëve të rinjë ‘Ditën e Tokës’ shënon rritjen e kapaciteteve dhe identifikon ndërlidhjen e institucioneve vendore me autonominë e tyre në raport me komunitetin.

Shoqata për Autonomi Vendore e shikon bashkëpunimin e të gjithë aktorëve të njësisë vendore për mbrojtjen dhe pasurimin e mjedisit të lokalitetit një domosdoshmëri për ruajtjen dhe zhvillimin e ambientit ku këto komunitete punojnë dhe jetojnë.

SHAV synon ngritjen e kapaciteteve përkatëse njerëzore për mbrojtjen e mjedisit. Kjo përmes, zhvillimit të trajnimeve të specialistëve në pushtetin vendor për zbatimin e ligjit për lejet mjedisore, aspekte të ndryshme të administrimit të mjedisit; Organizim i fushatave sensibilizuese, ngritjen e grupeve të vullnetarëve të qytetit, hartimin e programeve zhvillimore dhe përgatitjen e punonjësve për çështjet e mjedisit, për legjislacionin mjedisor, si një kusht i detyrueshëm për të gjithë nëpunësit civilë që punojnë në strukturat e NJQV-ve përgjegjëse direkt për menaxhimin e mjedisit.