Njoftime për shtyp

Forumi i Danubit për Përmirësimin e Qeverisjes në Ballkanin Perëndimor

Më datë 4 dhjetor u zhvillua në Vien, Forumi i Danubit për Qeverisjen: "Të përmirësojmë së bashku qeverisjen në Ballkanin Perëndimor dhe Rajonin e Danubit".
 
Forumi ishte eventi përmbyllës i Programit për Rritjen e Kapaciteteve në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Republikës së Moldavisë (BACID), i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim, i zbatuar nga Shoqata Austriake për Qytetet dhe Bashkitë dhe KDZ - Qendra për Hulumtim në Administratën Publike.
 
Aktiviteti bashkoj organizatat simotra, autoritete shtetërore dhe sektorin e biznesit, të cilët kanë bashkëpunuar edhe më parë me vendet e Ballkanit Perëndimor (BACID), në një diskutim mbi çështje të rëndësishme me fokus qeverisjen e këtyre vendeve dhe rajonit në kuadër të integrimit të tij në Bashkimin Europian. Një tjetër pikë me rëndësi që u diskutua ishte dhe tema për promovimin e bashkëpunimit në nivel kombëtar dhe lokal mes sektorit publik dhe shoqërisë civile, shkencës dhe sektorit të biznesit. 
 
Shoqata për Autonomi Vendore e pranishme në këtë Forum informoj kolegët ndërkombëtar mbi natyrën e bashkëpunimit mes sektorit publik dhe grupeve të interesit në vend, si dhe sfidat dhe impaktin pozitiv të reformës së re territoriale në drejtim të afrimit dhe përfshirjes sê qytetarëve në bashkëqeverisje.

Përmes 8 paneleve të ndryshme, Forumi u fokusua në përmirësimin e kapaciteteve në administratën publike dhe në krijimin e një platforme të integruar ku të gjithë aktorët të mund të kenë akses dhe të ndajnë eksperiencat e tyre, sikurse forcimin e administrimit lokal dhe përafrimin e standardeve të qeverisjes dhe të ofrimit të shërbimeve publike me ato të BE-së.

Pjesë e këtij Forumi ishte dhe zhvillimi i një ekspozite, ku Rrjeti i Shoqatave për Autonominë Vendore në Evropën Jug-Lindore prezantoi planin e ri strategjik për periudhën 2018-2022.