Njoftime për shtyp

Shoqata për Autonomi Vendore vizitë në Gjermani për projekte të reja

Një delegacion i përbërë nga 8 kryetarë të disa prej bashkive kryesore të vendit, i kryesuar nga Shoqata për Autonomi Vendore, ka zhvilluar një vizitë studimore disa ditore në Landin e Veriut të Rhine-Vesfalisë, të Republikës Federale të Gjermanisë.

Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja me modelet më të mira të politikbërjes dhe administrimit në nivel lokal nga autoritet e qeverisjes vendore gjermane, nisja e bashkëpunimeve përmes projekteve të përbashkëta, si dhe thithja e investimeve gjermane ne vend.

Delegacioni në përbërje të së cilit ishin kryetarët e drejtues të lartë të bashkive të Fierit, Korçës, Librazhdit, Patosit, Roskovecit, Bulqizës, Mirëditës, Gramshit, Durrësit dhe Elbasanit, zhvilluan takime në bashkitë kryesore të landit, ku u takuan me kryetarët e qytetit të Dyseldorfit, Këlnit, Hagenit dhe Esenit.

Në fjalën e rastit, në pritjen e organizuar në ambientet e bashkisë së Dyseldorfit, që është njëkohësisht dhe kryeqyteti i landit, Drejtoresha e Shoqatës për Autonomi Vendore, Adelina Farrici, u ndal tek interesi i kryetarëve për tu njohur modelet më të mira të administrimit lokal. Në të njëjtën kohë ajo theksoi se ky takim forcon urat e bashkëpunimit midis bashkive dhe ftoi autoritetet gjermane për nisjen e projekteve të përbashkëta me bashkitë shqiptare në fushën e menaxhimit të mbetjeve dhe integrimit të energjisë së rinovueshme.

Në fjalën e mirëseardhjes, kryebashkiaku i Dyseldorfit, Thomas Giesel, u shpreh se ky takim i parë është vetëm fillimi i një bashkëpunimi afatgjatë mes bashkive të landit dhe atyre shqiptare. Duke i prezantuar kryetarët shqiptar me politikat dhe zhvillimet ekonomike e social-kulturore të qytetit, ai foli për potencialet që fusha e inovacionit dhe teknologjisë ka dhe për interesin specifik që zë ky sektor tek investitorët e huaj.

Më pas delegacioni shqiptar, ka vijuar një takim pune me drejtues të lartë të Ministrisë së Ekonomisë së landit, dhe me një grup biznesmenësh nga diaspora të kryesuar nga, z. Lazim Destani, ku temë të veçant zuri nevoja për afrimin e investitorëve nga diaspora.

Vizita ka vijuar me një ceremoni zyrtare të organizuar nga Kryeministri i Landit të Veriut të Rhine-Vestfalisë, Z. Armin Laschet, në ambientet e kancelarisë së shtetit me rastin e 30-të vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Gjatë pritjes, Shoqata për Autonomi Vendore pati rastin të informonte Kryeministrin Laschet, mbi potencialin sektorial që kanë bashkitë tona në thithjen e investimeve të huaja..

Kjo vizitë 5 ditore është përmbyllur me pjesëmarrjen e kryetarëve në Konferencën "Ditë Dialogu me Diasporën" në Gjermani, kushtuar thithjes së kapaciteteve profesionale dhe financiare të diasporës për të investuar në rajonet e bashkive vendase.

Në fjalën e saj përshëndetëse drejtuar autoriteteve shtetërore dhe komunitetit të diasporës në Gjermani, drejtoresha e Shoqatës u bëri thirrje diasporës të investojnë përmes kapaciteteve të tyre intelektuale dhe financiare duke u drejtuar drejt bashkive vendase.

“…Ju bëjë thirrje, që gjithë këtë kapacitet dhe potencial intelektual dhe financiar drejtoheni pranë Shqipërisë, që me eksperiencat tuaja, të gjithë ajo që keni marrë nga këto shtete dhe ky zhvillim, të na i sillni në Shqipëri.” – u shpreh Zj. Adelina Farrici