Histori Suksesi

Belshi, vendi që Samiu propozoi si kryeqëndrën e shtetit të ri shqiptar

Qyteti i Belshit ndodhet në Jug-Perëndim të Elbasanit dhe është një nga bashkitë, pjesë e këtij qarku. Qyteti i vogël është i vendosur pranë liqenit që mban të njëjtin emër, liqeni i Belshit, ku dëshmohet dhe zanafilla historike e emërtimit të tij.
Belshi ka një popullsi prej 14.337 banorë me një sipërfaqje prej 50,9 km2 dhe si bashki numëron 32.630 banorë. Vendbanimi sipas të dhënave historike ka një prejardhje të lashtë ilire.
 
Nga zbulimet arkiologjike në zonën e Gradishtës, 2-3 km në Jug-Lindje të Belshit, tregohet se kufinjtë kronologjikë të banimit përfshijnë disa periudha duke filluar nga periudha e bronzit të hershëm (3000 – 1100 p.e.s), periudha e Hekurit (1100 – 500 p.e.s), periudha antike Ilire (shek.V- I p.e.s.), periudha Romake (shek. I – IV e.s.), periudha e Antikitetit të vonë (shek. IV-VI e.s.), periudha Bizantine (shek.VII-XI e.s.), e deri në periudhën e pushtimit Osman (shek.XIV-XIX e.s.).
 
Qyteti në lashtësinë e tij historike sipas gërmimeve në Gradishtë përmban gjetjen e një varri princëror, ku janë gjetur sende të shumta si helmeta, kazan bronzi, krater me voluta të cilat janë të ekspozuar në Muzeun Arkeologjik të Tiranës.
 
Belshi është një qytet me vlera historike të bazuara që nga shekulli IV p.e.s ku sipas historianëve njihet si një ish qendër urbane nga më pas u kthye në një qytet të fortifikuar i krahinës së Parthinve. Madje në programin e tij politik për shtetin e ri shqiptar, Sami Frashëri propozoi që kjo zonë të ishte kryeqendra e shtetit të ri shqiptar.
 
Gjatë kësaj periudhe është zbuluar dhe legjenda për ekzistencën e një princi Ilir të quajtur Princi i Belshit. Varri i zbuluar është pikërisht dhe zanafilla e të dhënave historike të qytetit nga stolitë deri tek 70 objektet prej qeramike, arme, enë bronzi.
 
Vlerat Arkeologjike të qytetit tregojnë për elementë tepër interesant ku dallon gjetja e enëve qeramike (baltë e pjekur) shek. IV-II p.e.s. të periudhës qytetërimit ilir. Vlen të përmenden objektet siç janë enë balte pa vegje, me një ose dy vegje, portrete të ndryshme në terrakotë, stoli prej ari, enë prej bronxi, monedha, figurina dhe pllaka relievi, byzylyk argjendi, enë për pije me figurën e Afërditës, karfica dhe gjilpëra argjendi etj.
 
Zona ka kushte të përshtatshme klimatiko-toksore për kultivimin e shumë kulturave bujqësore, veçanërisht të drithërave të bukës, duhanit, perimeve, hardhisë dhe pemëve frutore, por në këtë zonë ka një zhvillim edhe blegtoria.
 
Zona e Belshit është një zonë arsimdashëse, mësimet në gjuhën shqipe kanë zanafillën e tyre që në fillim të viteve 1920-23 dhe një rol të rëndësishëm në hapjen e parë të shkollës shqipe në Belsh ka luajtur “Kongresi Arsimor”, ku dha një mbështetje të plotë në hapjen e shkollës, pasi bëri dhe mbështetjen e kësaj shkolle me stafin e duhur. Shkollat që numërohen në Bashkinë e Belshit janë 8, nga të cilat 7 janë 9 vjeçare dhe një e mesme e përgjithshme. Nga këto shkolla kanë filluar studimet e larta një numër i madh nxënësish, që sot punojnë në sektorë të ndryshme dhe japin një kontribut të madh në zhvillimin e zonës.
 
Belshi njihet për një kulturë të lashtë dhe të pasur sa dhe vetë historia e këtij qyteti. Ajo ka këngët dhe vallet e saj karakteristike, këngët e Belshit këndohen me iso polifonike. Ato shpesh shoqërohen dhe me valle, e cila është e veçanta e kësaj zone. Kohët e fundit në qytet janë bërë investime shtetërore dhe private të cilat kanë për qëllim zhvillimin ekonomiko-social të vendit përmes rritjes së ofertës në sketorin e agro-turizmit.
 
*Ky artikull është përshtatur nga faqja zyrtare e Bashkisë Belsh dhe qëllimi i publikimit të tij është promovimi dhe njohja e qytetarëve të vendit me këtë qytet. Foto nga © Albert Vaja.